Biografia

Bujar Dugolli, është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës në lëndët: Histori moderne shqiptare 1830-1878, Histori moderne shqiptare 1878-1912, Metodikë e historisë dhe Metodologji dhe metodikë e mësimit të historisë, në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Historisë në Universitetin e Prishtinës.

 

I lindur në Nekoc në rajonin e Drenicës (Gllogoc), shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gllogoc. Pas përfundimit te arsimit të mesëm drejtimi elektroteknikë u regjistrua në Universitetin e Prishtinë, Fakultetin Elektroteknik në vitin akademik 1989/90, por regjimi i atëhershëm komunist jugosllav ia ndërpreu studimet për faktin që vinte nga një familje ideo-politikisht e papërshtatshme për regjimin e atëhershëm, si dhe për shkak se mori pjesë aktivisht në demonstratat 1989/90 kundër suprimimit të autonomisë se Kosovës. Kjo ndalesë i zgjati deri në riorganizimin e Universitetit të Prishtinës si Universiteti i Republikës së Kosovës ku u riregjistrua në vitin akademik 1992/93, në Fakultetin Filozofik, Departamentin e Historisë, ku edhe diplomoi në vitin 1997. Në të njëjtin fakultet përfundoi edhe studimet pasuniversitare drejtimi Historia e Kohës së Re dhe mori titullin: Magjistër i shkencave të historisë më 29.03.2004. Disa vite me vonë, mori titullin: Doktor i shkencave të historisë me 13.7. 2007, në Universitetin e Prishtinës.

 

Ka të botuar tri monografi shkencore dhe një sërë punimesh shkencore, shkrime dhe artikuj të natyrës politiko-historike dhe ekonomike të botuara në revista shkencore të vendit dhe ndërkombëtare.

 

Fillimit të karrierës së tij politike i parapriu angazhimi në aktivitetet organizative të studentëve në Universitetin e Prishtinës në periudhën më të rënd të mbijetesës se tij. Në vitin 1995 u zgjodh kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Fakultetit Filozofik, si dhe anëtar i Këshillit Shkencor –Mësimor. Pas një pune të suksesshme organizative me studentë të Fakultetit Filozofik dhe angazhimit në aktivitet studentore në nivel të Universitetit të Prishtinës, fitoi besimin e studentëve për të udhëheqë me organizatën dhe me 4.2.1997 u zgjodh kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë edhe anëtar i Senatit të UP-së, deri me 1999. Ishte udhëheqës i lëvizjes jo violente studentore në Kosovë gjatë viteve 1997-1999, lëvizje kjo e njohur për rezistencën kundër regjimit serbe të Millosheviqit. Për shkak të aktivitetit të tij politik-kombëtar ishte i ndjekur, arrestuar dhe i keqtrajtuar rëndë disa herë nga policia serbe. Jehona dhe suksesi i protestave studentore 1997/99 e bëri atë faktor të rëndësishëm në skenën politike në Kosovë dhe si lider studentor përfaqësoi studentët, Universitetin e Prishtinës edhe institucione të ndryshme të Kosovës në shumë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare të niveleve të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare.

 

Ka qenë anëtar i delegacionit negociator të Kosovës në procesin e Rambujesë - Parisit, 1999.

 

Në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës e dalë pas procesit të Rambujes ishte ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, 1999-2000. Nga dhjetori 2004 deri në janar 2008, ka qenë ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës. Ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, në tri legjislatura radhazi nga vitit 2001 - 2010.

 

Nga korriku i vitit 2012 është zgjedhur dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.

 

Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Jeton në Prishtinë.