Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1878-1912

Kjo monografi shkencore trajton relacionet shqiptaro-serbe, në një periudhë mjaft delikate për të dy popujt. Dokumentet arkivore të proveniencës shqiptare, serbe, austro-hungareze etj., janë bazë mbi të cilat është shkruar ky libër. Libri ka parathënien, hyrjen, katër kapituj, përfundimin, kronologjinë e ngjarjeve, burimet dhe literaturën dhe ka gjithsej 376 faqe. Botues është Universiteti i Prishtinës, 2011.

 

Mendimet e recensentëve për këtë monografi mund t’i lexoni në vazhdim:


Monografia "Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1878-1912”, përfaqëson një arritje domethënëse në studimet historike. Ajo është interesante, në radhë të parë për nga subjekti i trajtuar, një subjekt tërheqës si për rrethet studimore, ashtu edhe për publikun e gjerë historidashës. Shqiptarët dhe serbët janë dy popuj fqinjë, por që historinë e tyre më tepër se sa me bashkëpunim e miqësi, e kanë të ngarkuar me armiqësi, grindje e tensione, sidomos për shkak të lakmive shtetmëdha të qarqeve zyrtare të Serbisë.

Dr. Bujar Dugolli ka arritur të shpalosë, në shumë dimensione, politikën e shtetit serb ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si dhe ndaj shqiptarëve në tërësi. Ai ka arritur të rindërtojë një histori të vërtetë e bindëse të marrëdhënieve shqiptaro- serbe, nëpërmjet një rrëfimi të qartë e të natyrshëm, mbështetur në analiza e interpretime interesante, duke thirrur në ndihmë fakte e të dhëna të shumta, të qëmtuara nga burime arkivore dhe bibliografike të rëndësishme.

Prof. Dr. Ferit Duka

 

Vepra e autorit Dr. Bujar Dugolli “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1878-1912” trajton vitet më dinamike të historisë moderne shqiptare. Në këtë rrafsh, çështja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe është ndër çështjet më delikate për historiografinë, si shqiptare ashtu edhe serbe. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1878-1912 nuk u zhvilluan nga prizmi i bashkëpunimit të natyrshëm ndërmjet dy popujve fqinj, por fatkeqësisht nga prizmi i logjikës hegjemoniste të politikave shtetërore serbe në raport me trojet etnike shqiptare. Vlera e monografisë së autorit Dugolli qëndron pikërisht në faktin se ai arriti që nëpërmjet dokumentacionit arkivor serb, shqiptar dhe të tjerë t’i demaskojë me argumente dhe objektivitet shkencor politikat dhe projektet e vazhdueshme antishqiptare të Mbretërisë së Serbisë, të cilat e trasuan rrugën e marrëdhënieve të acaruara ndërmjet këtyre dy popujve ballkanikë edhe për një shekull vijues.

Prof. Dr. Masar Rizvanolli

 

Monografia e autorit Dr. Sc. Bujar Dugolli me titull “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1878-1912” paraqet një kontribut të vlefshëm historiografik mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Nëpërmjet shfrytëzimit të dokumenteve arkivore të proveniencave të ndryshme nxjerrë përfundimeve logjike të qëndrueshme që dalin nga shqyrtimi shkencor i këtij dokumentacioni, autori i kësaj monografie hedh dritë të re mbi një sërë momentesh relevante në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, duke iu kundërvënë njëkohësisht trajtimit subjektiv dhe antishqiptar të historiografisë serbe të shekujve XIX e XX.

Prof. Dr. Gazmend Rizaj

 

Publikime

  • HISTORIA GOJORE

    Me qëllim që sadopak të kontribuojmë në sensibilizimin e çështjes së përdorimit të historisë gojore në ndriçimin e së kaluarës historike, është përgatitur ky libër universitar... Më shumë

  • 1 TETORI I KTHESËS - Lëvizja studentore 1997 - 1999

    Ky libër është një rrëfim i liderit të Lëvizjes Studentore të Universitetit të Prishtinës 1997 – 1999, lëvizje kjo e cila vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i... Më shumë