1 TETORI I KTHESËS - Lëvizja studentore 1997 - 1999

Ky libër është një rrëfim i liderit të Lëvizjes Studentore të Universitetit të Prishtinës 1997 – 1999, lëvizje kjo e cila vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i kthesës së madhe historike, që po vinte për Kosovën, kthesë e cila i parapriu daljes publike në skenë të UÇK-së. Lëvizja Studentore ‘97 ishte një lëvizje joviolente studentore në Universitetin e Prishtinës, e cila filloi më 1 tetor 1997 dhe, duke aplikuar metodat aktive të një rezistence civile, theu status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. Libri është i mbështetur në dokumente relevante të pa botuara deri më tani. Libri ka parathënien, hyrjen, tetë kapituj, përfundimin, burimet, si dhe aneksin me dokumente arkivore, fotografi, mesazhe përkrahëse, listën e studentëve dëshmorë dhe martirë të rënë në periudhën kohore 1997 – 1999, si dhe ka gjithsej 557 faqe. Botues është Departamenti i Historisë i Universitetit të Prishtinës, 2013.

Mendimet e recensentëve për këtë monografi mund t’i lexoni në vazhdim:

 

Librin "Një tetori i kthesës" në të cilin shkruhet deri sot historia më e plotë e lëvizjes studentore në vitet 1997-1999 e lexova me kujdes të veçantë e me laps në dorë. Krijova përshtypjen se kemi të bëjmë me një vepër posaçërisht të rëndësishme publicistike në të cilën me të dhëna të pamohuara tregohet roli politik dhe kombëtar i lëvizjes studentore në vitet aq vendimtare për çlirimin e Kosovës. Këto janë të dhëna të reja, deri tani të pabëra publike, për veprimtari, ngjarje, sjellje politike, për parti e për persona të ndryshëm. Me këto të dhëna, në njërën anë mposhten gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat, kurse në anën tjetër afirmohen të drejtat dhe të vërtetat për UÇK-në e për forca politike e persona që e kanë bërë e përkrahur luftën çlirimtare dhe për parti e persona që e kanë kundërshtuar atë. Me veprën "Një tetori i kthesës", historia më e re e Kosovës sadopak lirohet prej falsifikimeve që po ia bëjnë asaj disa nga falsifikuesit politikë tani e sa vite.

Uroj që libra të këtillë, që mbrojnë të vërtetën e të drejtën, të kemi rastin të lexojmë më shpesh.

 

Akademik Rexhep QOSJA

 

 

Libri i Bujar Dugollit është shkruar mbi dy premisa teorike: është një rrëfim analitiko-historik dhe është një reflektim subjektiv për ngjarjet e kaluara. 

Lexuesi mund të njohë nga ky libër personazhet e lëvizjes studentore, mendimet dhe pritjet e tyre, çastet e vendosmërisë dhe çastet e dilemave e lëkundjeve, kundërshtimet e saj me grupimet e tjera politike, me struktura të tjera të shoqërisë, me vetë profesoratin e Universitetit, si dhe me diplomacinë ndërkombëtare, presionin politik të ushtruar mbi këtë klasë për të hequr dorë nga organizimi i demonstratave etj.

Lexuesi mund të shohë botën e vogël të një grupi të studentëve, duke u rritur, pak të themi çdo ditë, por çdo orë e çdo çast, të shohë ditët e zakonshme se si shndërrohen në emnesa historike.

 

Prof. dr. Bajram KOSUMI

 

 

Një protestë studentore paqësore për kthimin e objekteve universitare, do të ndryshonte kahen e zhvillimeve historike kosovare, ashtu siç e kishin bërë edhe pararendësit e tyre në vitin 1981. 

Në morinë e publikimeve të pasluftës, ky libër është ndër shkrimet e rralla historike për këtë ngjarje të rëndësishme. I shkruar, kryesisht në vetën e parë, në një stil të lehtë e në gjuhë të qartë, autori hedh dritë për ngjarjet dhe personalitetet që i paraprinë dhe ato që pasuan zhvillimet e 1 tetorit 1997, si dëshmitar dhe kontribuues i tyre.

Libri është rrëfimi për një grup të rinjsh idealistë, të cilët jo vetëm që kishin ndryshuar mentalitetin e pritjes, por me veprimin e tyre konkret kishin inauguruar filozofinë e re politike “just do it”.

 

Prof. dr. Blerim REKA 

Publikime

  • HISTORIA GOJORE

    Me qëllim që sadopak të kontribuojmë në sensibilizimin e çështjes së përdorimit të historisë gojore në ndriçimin e së kaluarës historike, është përgatitur ky libër universitar... Më shumë

  • 1 TETORI I KTHESËS - Lëvizja studentore 1997 - 1999

    Ky libër është një rrëfim i liderit të Lëvizjes Studentore të Universitetit të Prishtinës 1997 – 1999, lëvizje kjo e cila vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i... Më shumë