Drenica në kthesat historike të Ballkanit 1908 - 1913

Kjo monografi shkencore trajton një periudhë të rëndësishme historike me theks të posaçëm zhvillimet në rajonin e Drenicës dhe rreth saj në vitet më dramatike për ekzistencën e shqiptarëve. Drenica, si rajon në Kosovën qendrore, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në periudhën 1908 – 1913 në kryengritjet e Kosovës. Lënda themelore e kësaj monografie përbëhet nga burimet e pabotuara dhe të botuara të shoqëruara edhe nga burime gojore dhe literaturë e pasur. Libri ka parathënien, shtatë kapituj, përfundimin, kronologjinë e ngjarjeve, burimet dhe literaturën. Libri ka 289 faqe dhe është botuar nga shtëpia botuese “Brezi '81”, Prishtinë, 2008.

 

Mendimet e recensentvë për këtë monografi mund t’i lexoni në vazhdim:


Monografia shkencore me titull, “Drenica në kthesat historike të Ballkanit 1908-1913”, i sillet njërit ndër problemeve të vështira të historiografisë sonë. Për gjerësinë e temës, kuptohet se lënda themelore përbëhej nga burimet e pabotuara dhe të botuara, të shoqëruara edhe nga burime gojore dhe literaturë të pasur në gjuhë të ndryshme, të cilat autori Dr. Bujar Dugolli, i realizon sipas teknikave shkencore të avancuara metodologjike. Duhet veçuar kontributin vetanak të autorit, që është gjëja më relevante, e që ka të bëjë me ndriçimin shkencor të aspekteve politiko-shoqërore të Drenicës gjatë kthesave të mëdha historike.

Prof. Dr. Jahja Drançolli

 

Libri “Drenica në kthesat historike të Ballkanit 1908-1913”, i autorit Dr. Bujar Dugolli, duke trajtuar një periudhë të veçantë historike në një hapësirë të caktuar, përkatësisht duke e trajtuar Drenicën, si njërën ndër esencat e qëndresës dhe sakrificës shqiptare, në kthesat e mëdha historike të Ballkanit, ka arritur të dokumentojë dhe të argumentojë njohuritë e deritashme, gojore, gati legjendare, për Drenicën në periudhën kohore 1908-1913. Libri i Dugollit është një libër që paraqet një dëshmi të vlefshme historike për Drenicën, është një monografi, shembull për trajtimin e historisë shqiptare për periudha dhe hapësira të caktuara.

Prof. Dr. Hakif Bajrami

 

Veprën monografike “Drenica në kthesat historike të Ballkanit 1908-1913”, të autorit Dr. Bujar Dugolli, mund ta konsiderojmë si një kontribut të vlefshëm për historiografinë shqiptare, sepse deri më sot kjo pjesë e historisë së Drenicës nuk ka qenë objekt i një trajtimi të veçantë shkencor. Duke pasur mbështetje në burime arkivore dhe në literaturë relevante, autori ka arritur ta arsyetojë me shumë argumente faktin se Drenica ishte bërthamë patriotizmi e Shqipërisë së Epërme etnike. Pra, Drenica dhe drenicarët ishin pjesë e rëndësishme e kthesave historike në arealin ballkanik gjatë viteve dramatike 1908-1913.

Prof. Dr. Gazmend Rizaj

 

Publikime

  • HISTORIA GOJORE

    Me qëllim që sadopak të kontribuojmë në sensibilizimin e çështjes së përdorimit të historisë gojore në ndriçimin e së kaluarës historike, është përgatitur ky libër universitar... Më shumë

  • 1 TETORI I KTHESËS - Lëvizja studentore 1997 - 1999

    Ky libër është një rrëfim i liderit të Lëvizjes Studentore të Universitetit të Prishtinës 1997 – 1999, lëvizje kjo e cila vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i... Më shumë